18.06.2020 - Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi sot një takim me drejtues të shoqërive administruese të fondeve të investimit, pensioneve private vullnetare dhe përfaqësues të tregut të kapitaleve. Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA) u përfaqësua në këtë takim nga presidenti i saj, z. Blodin Çuçi. Në takim u diskutua mbi ecurinë e këtyre tregjeve, efektet e pandemisë COVID-19 dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
 
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, vuri në dukje në fjalën e tij se në përgjithësi situata e pandemisë është menaxhuar mirë nga tregu, edhe pse në anën tjetër ajo nxori në pah nevojën për plane solide të vazhdimësisë së biznesit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me të gjithë aktorët për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.

"Është shumë e rëndësishme të punojmë për hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë apo aktorëve të tjerë. Autoriteti është i gatshëm për ta avancuar këtë nismë, duke propozuar krijimin e një Komiteti për hartimin e strategjisë kombëtare", - u shpreh z. Mete.   

Duke vlerësuar digjitalizimin si një element thelbësor, si në funksion të mbikëqyrjes, ashtu edhe në kuadër të rritjes së efiçencës dhe reduktimit të burokracive, z.Mete kërkoi që ekspertiza e aktorëve të tregut në teknologjinë e informacionit të përdoret në funksion të zhvillimit dhe mirërregullimit të tregjeve.     
ASTA mbetet e hapur për të ofruar ekspertizën e saj dhe gadishmërinë për t’u përfshirë në proceset konsultuese me aktorët e tregut në funksion të hartimit të akteve nënligjore për plotësimin e kuadrit ligjor për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe tregjet e kapitalit.