24.04.2020 - Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat  miratoi sot në parim projektligjin “Për Tregun e Kapitaleve”, i përgatitur nga ekspertët e SECO-Bankës Botërore, në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Ministrja Anila Denaj bëri me dije për komisionin, se projektligji synon të krijojë mundësi financimi, të mundësojë emetimin e letrave me vlerë, të bëjë të mundur të kanalizohen kursimet nëpërmjet tregjeve më mirë të rregulluara të investimeve si edhe të tërhiqen investitorët e huaj. Sipas këtij projektligji tregjet e kapitalit do  të mbikëqyren më me efektivitet; do të vendosen standarde të larta integriteti dhe besueshmërie; do  të vendoset një bazë ligjore në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare dhe në përputhje me direktivat e BE-së.

Në mbledhjen virtuale të organizuar nga komisioni u ftuan për të ofruar mendimet e tyre edhe grupet e interesit, mes të cilëve edhe Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA), Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG apo shoqëri komisionere.

ASTA dhe aktorët e tjerë të sektorit kanë qenë mjaft aktivë gjatë gjithë procesit të përgatitjes së projektigjit duke ndikuar në përmirësimin dhe përshtatjen e ligjit jo vetëm me Direktivat e BE-së, por edhe duke marrë parasysh tregun e brendshëm. Krahasuar me bazën ligjore aktuale, projektligji i ri sjell një frymë pozitive në tregun vendas të kapitaleve, kryesisht në drejtim të:

  • Mbledhjes nën të njëjtën ombrellë të të gjithë kuadrit ligjor për tregun e kapitaleve në vend,
  • Harmonizimit më të mirë të kuadrit ligjor me Direktivat e BE-së që mbulojnë industrinë financiare,
  • Përcaktimit më të mirë të rolit dhe aktivitetit të disa tregjeve dhe ndërmjetësve financiarë,
  • Sjelljes për herë të parë disa koncepte dhe institucione të reja në tregjet financiare të cilat mungonin në ligjin aktual si p.sh depozitari qëndror i titujve, agjensitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit etj.),
  • Standardizimit të kritereve të përshtatshmërisë (fit & proper) për organet e larta drejtuese të institucioneve financiare në tregun e kapitaleve.

Pas diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe pyetjeve nga të pranishmit për ekspertët, projektligji u miratua në parim me votë unanime nga të gjithë deputetët pjesëmarrës. Në javët në vazhdim pritet që të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.