09.02.2022 - Pas rreth gjashtë javëve të konkurimit, pritet të zbulohen më 15 shkurt 2022 skuadrat fituese të konkursit ndërkombëtar me temë: “BURSA VIRTUALE E TITUJVE – Të Mësojmë rreth Tregut të Letrave me Vlerë”. Mbi 150 studentë, që përfaqësojnë 13 universitete publike dhe jo-publike, janë pjesë e konkursit të organizuar për herë të parë në vendin tonë si një bashkëpunim i Shoqatës së Tregtimit të Titujve (ASTA) me institucionin financiar German Sparkassenstiftung Albania (DSIK Albania) dhe Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE), në kuadër të punës për edukimin financiar dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik në lidhje me tregun e kapitaleve në vend.

Konkursi konsiston në aksesimin e skuadrave me 3-4 studentë, në një ambjent virtual në formën e një platformë interneti të centralizuar, e cila i ka pajisur ata me fonde virtuale (50.000 EUR) dhe dhënë mundësinë të aksesojnë çmimet reale të tregtimit të titujve (aksione, obligacione, fonde investimesh etj.), duke ndërtuar një portofol virtual investimesh në letra me vlerë, me qëllim maksimizimin e normës së kthimit nga investimi. 

Skuadrat mund të tregtojnë (shesin/blejnë) deri në 200 tituj në platformën online të tregtimit të titujve. Qëllimi është të kemi në fund të lojës portofolin “depot” me vlerën më të madhe. Përfitueshmëria në të ardhmen nga portofoli përveç vlerës së tij do të jetë gjithashtu një kriter vlerësimi. Skuadrat më të mira në vlerësimin e përgjithshëm dhe një deri në dy skuadra me vlerësimin më të mirë në përfitueshmërinë e ardhshme të portofolit do të renditen si fitues (6 skuadra në total).

Një juri e pavarur ndërkombëtare do të vlerësojë performancën e portofoleve virtuale dhe do të shpallë skuadrën fituese më një çmim ndërkombëtar. Gjithashtu, DSIK Albania është angazhuar për ofrimin e një çmimi të veçantë kombëtar (në Shqipëri), i cili do të shpërblejë skuadrën universitare me performancën më të lartë të investimit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të jetë protagonist i ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve fituese dhe çertifikatave të pjesëmarrjes.

Deri në vitin 2010 mbi 1 milion skuadra kanë marrë pjesë në këtë lojë. Me afërsisht 40,000 skuadra në vit dhe total 140,000 pjesëmarrës, kjo lojë e simulimit të Bursës së Titujve, është kthyer në lojën më të madhe të simulimit të bursave të letrave me vlerë në Botë.